Turgut Ozal Tirana
Feb 14, 2014 12:00:00 am

“NJË SHËTITJE E PAHARRUESHME”

Udhëtimi në Turqi i  nxënësve të klasave të 6-ta, të 7-ta dhe të 8-ta.

Dita e parë: Data 6 shkurt mezi po pritej nga nxënësit e shkollës sonë, pasi jo vetëm që do të kishim disa ditë pushim, por sepse disa prej nesh ishin organizuar së bashku me një pjesë të stafit mësimor të shkollës për një udhëtim drejt Turqisë. Udhëtimi drejt Stambollit nisi rreth orës 8 nga aeroporti “Nënë Tereza”. Mbërritëm në aeroportin “Ataturk” në Stamboll rreth orës 11. Stambolli, vendi ku bashkohen dy kultura, perëndimi dhe lindja, Evropa dhe Azia.  Vizita e parë ishte në një akuarium të quajtur “Akuaryum Istanbul”. Ishte vërtet magjepsës dhe mahnitës. Akuarimi ishte i projektuar në mënyrë të atillë që të kishe mundësi të shihje e të admiroje lloje peshqish e specie nga të gjitha vendet e botës. Aty gjeje edhe Antarktidën me akullin dhe bardhësinë e saj edhe Afrikën me klimën e lagësht, nxehtësinë dhe bimësinë e saj të xhunglës.

Pas vizitës në akuarium, filloi udhëtimi ynë drejt qytetit historik e turistik të Bursës. Një pjesë të rrugës e përshkruam me anije nëpër detin Marmara. Mbërritëm në qytetin e Bursës rreth orës 21. Ishte një udhëtim i lodhshëm, por i bukur. Akomodimi ynë ishte në “Almira Hotel”.

Dita e dytë: Mëngjesi në hotel. Rreth orës 9 në mëngjes nisemi drejt qendrës së skive “Uludag”. Më në fund arritëm te bora.

Një nga kënaqësitë më të mëdha të kësaj shëtitjeje kanë qenë orët e kaluara në “Uludag”, mes dëborës e bardhësisë. Ski, shëtitje me motor bore, slita dhe udhëtim me teleferik.

Më pas shëtitje në qytetin e Bursës. Dreka dhe shopping në qendrën tregtare “Koruforum” dhe darka në hotel. Pas darkës pishina me ujë termal dhe argëtime të ndryshme brenda hotelit.

Dita e tretë: Mëngjesi sërish në hotel. Përsëri orë të paharruara në “Uludag” mes skive, dëborës dhe bardhësisë së saj. Dreka dhe shopping në qendrën tregtare “Anatolyum”. Më pas udhëtimi ynë vazhdoi me një shëtitje në qendrën historike të qytetit të Bursës “Ulucami”. Kjo xhami është ndërtuar në vitet 1396-1399 nga Sulltan Bajaziti I-rë. Historia e ndërtimit të kësaj xhamie është mjaft interesante.

Sulltan Bajaziti kishte premtuar se nëse fitonte betejën e Nikopolisit, do të ndërtonte 20 xhami. Në vend të tyre, pasi e fitoi betejën, ai ndërtoi një xhami me 20 kupola. Toka në të cilën do të ndërtohej xhamia i përkiste një gruaje të krishterë dhe ajo nuk ishte dakort që xhamia të ndërtohej në tokën e saj. Kështu ndërtimi i kësaj xhamie u bë rreth kësaj pjese toke duke e lënë bosh hapësirën e pronës së gruas në mes të xhamisë dhe dukë e lënë të hapur edhe lart që të hynte drita. Më vonë në këtë hapësirë u ndërtua një shatërvan dhe sipër u vendos një kupolë xhami.

Dita e katërt: Mëgjesi i kësaj ditë filloi herët, por jo aq gëzueshëm, pasi ishte dita e fundit e shëtitjes. U larguam me trishtim nga hoteli ynë aq mikpritës për t’u nisur drejt Stambollit. Në Stamboll na priste një surprizë shumë e bukur. Vizita në qendrën “Istanbul Saphire”, një nga ndërtesat më të larta në Evropë, e lartë 56 kate. Në këtë ndërtesë shkuam në një kinema 5D, në të cilën përmes një “udhëtimi me helikopter”, vizituam disa vende në Stamboll, të cilat nuk mundëm t’i shihnim gjatë udhëtimit tonë. Nga kati i fundit i kësaj ndërtese, ishte e mundur të sodisje gjithë Stambollin së bashku me bukuritë e tij mahnitëse.

Dreka dhe shoppingu i fundit në qendrën tregtare “Marmara Forum”, një qendër vërtet mbreslënëse për nga madhësia.

Dhe ja, erdhi edhe fundi i shëtitjes sonë. U drejtuam drejt aeroportit të Stambollit për t’u kthyer në atdhe. Ndjeheshim të mërzitur që shëtitja jonë kishte mbaruar, por të kënaqur se kishim kaluar një kohë fantastike, kishim parë e vizituar vende vërtet të bukura dhe që mbeteshin në kujtesën tonë për një kohë të gjatë. Shpresojmë që të tilla shëtitje të përsëriten shpesh!