Turgut Ozal Tirana
Jan 16, 2017 12:00:00 am

Klubi i gatimit

Pasioni për gatimin ka mbledhur rreth tryezës së kuzhinës së klubit tonë disa nga nxënësit e shkollës. Së bashku me mësueset që janë pjesë e klubit, ata realizojnë gatime nga më të shumëllojshmet, ku spikatin gatimet tradicionale shqiptare, por edhe ato të huaja. Që recetat e përgatitura të mos harrohen, fëmijët i praktikojnë në shtëpi, duke kënaqur kështu edhe shijet e familjarëve të tyre.

Në javët që lamë pas, klubi organizoi disa aktivitete jashtë ambienteve të shkollës.

Si fillim, nxënësit ishin të ftuar në pastiçerinë “Lej & Laj”, ku shijuan ëmbëlsirat e freskëta dhe cilësore që ky mjedis ofron. Momenti surprizë ishte kur nxënësit morën një ftesë për të realizuar një recetë të veçantë në punishten e këtij biznesi.

Kësaj iu shtua edhe vizita në Ministrinë e Bujqësisë, një mundësi e mirë për të mësuar më tepër rreth vlerave dhe dobive të ushqimit të shëndetshëm.

Por qershia mbi tortë ishte pa dyshim ardhja në klub e shefit Sokol Prenga, një nga mjeshtrat shqiptarë në artin e kulinarisë. Atë ditë, nxënësit tanë, mjaft të entuziazmuar, përveshën mëngët për t’iu bashkuar përgatitjes së një recete të këndshme të kuzhinës italiane: makarona me pana dhe fileto pule.

Eksperienca të tjera mbresëlënëse ishin edhe përgatitja e tortës me biskota, kabunisë, krepave apo zupave, ku dhanë ndihmën e tyre modeste edhe drejtues të shkollës.