Turgut Ozal Tirana
Apr 25, 2016 12:00:00 am

Kolegji `Turgut Ozal` Durrës, një histori suksesi

Gjatë rrugëtimit tonë mund të hasim njerëz, vende, ndodhi që ndikojnë apo na shenjojnë të ardhmen. Shumë herë arritjet dhe sukseset tona lidhen me vende dhe njerëz të veçantë, të cilët nuk mund të jenë rastësi, por individë, institucione, sipërmarrje serioze të vulosura nga puna dhe vullneti i mirë për të siguruar zhvillimin, suksesin për të kapur majat.

Kolegji “Turgut Ozal” Durrës është nga ato vende ku rastësia nuk ka vend. Në një institucion si ky askush nuk është i rastësishëm, sepse ky është vendi i arritjeve të mëdha, është vendi ku ushqehen me dije talentet, mbështeten, rriten e maturohen për të shkuar drejt rrugëve të reja, si qytetarë të botës, të pajisur me të gjitha aftësitë për të ecur përpara drejt rrugës së suksesit.

Një histori suksesi është ajo e nxënësit Gledis Kallço, i cili shquhet për talentin në lëndën e matematikës. Prej tri vitesh ai është pjesë e këtij kolegji. I ardhur në klasë të dhjetë, ai ngjiti shkallët e arritjeve dhe suksesit. Një talent i kultivuar dhe zhvilluar më tej në auditoret e kolegjit, ai spikat për thjeshtësinë, inteligjencën dhe mprehtësinë e rrallë, por mbi të gjitha për punën e palodhur në fushën e shkencës e të matematikës. Gledis Kallço është fitues i vendit të parë në Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, por nuk mbaron këtu. Sot maturant i majave të reja, i pranuar nga universiteti më i mirë në botë, `Massachusetts Institute of Technology`, në SHBA,  ai ndodhet përballë sfidash. Të jesh pjesë e MIT do të thotë të sfidosh kohën, veten, arritjet e shkencës, do të thotë të sjellësh të renë.

Të jesh i pari në të gjithë Shqipërinë, do të thotë të jesh personi i duhur në vendin e duhur. Në këtë kolegj i kushtohet një vëmendje e veҫantë punës me talentet. Punohet për orë të tëra jashtë orarit mësimor, gjatë javës, si dhe të shtunave, duke arritur kombinimin e përsosur mes talentit dhe punës. Nxënësit e këtij kolegji kanë shkruar këtë vit një histori suksesesh. Fitues absolutë të vendeve të para të të gjitha olimpiadave shkencore, vijohet me vende të dyta e të treta, dhe lista është vërtet e gjatë.

Aleksandros Ruçi është gjithashtu fitues i vendit të parë në Olimpiadën e Matematikës, ndërsa Stefan Haxhillazi fitues i vendit të tretë.

Në Olimpadën e Fizikës, Gjergj Luarasi shpallet fitues i vendit të parë.

Në Olimpiadën e Kimisë Stefan Haxhillazi fiton vendin e parë, Barjol Lami vendin e dytë dhe Fiona Rama vendin e tretë. Nxënësi Stefan Haxhillazi është fitues absolut i  vendit të parë në këtë olimpiadë prej tri vitesh.

Për Olimpiadën e Biologjisë lista është vërtet e gjatë. Zelma Kapxhiu është fituese e vendit të parë, duke u ndjekur nga fituesit e vendit të dytë: Joana Çobaj, Anxhela Zhiti, Aurel Asllani, Xheri Tola, Aleksandros Ruçi, Gledis Kallço, Nuri Seko, Desara Qojle dhe Ardit Keta, fitues të vendit të tretë.

Kjo është një histori suksesi dhe pune ngulmuese. Historia e kolegjit “Turgut Ozal” Durrës, shkruar nga puna e palodhur e mësuesve që bashkë me dijet u japin këtyre nxënësve shembuj pasioni për botën e bukur e të pafundme të shkencës.

Ky është rrugëtimi i këtyre të rinjve, rrugëtimi i Gledisit, Aleksit, Stefanit, Zelmës, Gjergjit etj. Të cilët do të jenë pjesë e elitës së të ardhmes. Është historia e çdo kolegjisti, e atyre që janë e që do të vijnë, sepse nuk mbaron këtu…