Turgut Ozal Tirana
Dec 06, 2014 12:00:00 am

PANAIRI USHQIMOR

Megjithëse panairi ushqimor është një aktivitet tashmë tradicional në shkollën tonë dhe organizohet për të disatin vit radhazi, përsëri tek nxënësit vihet re po i njëjti përkushtim, po ai entuziazëm dhe po ajo energji pozitive si në fillimet e këtij aktiviteti.
 
Në të marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollës, madje edhe fëmijët e kopshtit dhe, në një ditë të veçantë, kontribues kryesorë në këtë panair bëhen edhe mësuesit e drejtuesit e shkollës. Gjithsecili prezantohet me një gatim special, tradicional të një krahine të caktuar të Shqipërisë ose me gatimin e tij/saj të preferuar. Ky aktivitet përfshin edhe prindërit, pasi nxënësit, duke qenë se duhet të prezantojnë ushqimin e gatuar nga duart e tyre, kanë angazhuar për këtë edhe anëtarët e tjerë të familjes. 
Panairi ushqimor mbart në vetvete një sërë vlerash. Ai është argëtues, pasi për një ditë dikujt i jepet mundësia të testojë veten si  shitës, dikujt si menaxher dhe të tjerë si agjentë marketingu duke bërë reklamë malli  në një treg të vërtetë brenda ambienteve të shkollës; është aktivitet mësimor sepse në të mund të ndërthuren disa lëndë si: matematika, aftësimi teknologjik, edukata shoqërore etj.; është zbulues dhe nxitës talenti për nxënësit me prirje në fushën e kulinarisë; por mbi të gjitha ai është një aktivitet edukativ, pasi përcjell një mision human në ndihmë të familjeve në vështirësi.